Postuar më: 19 Prill 2017

“Luarasi”, leksion për respektimin e të drejtës së autorit

Ndonëse flitet prej vitesh, pronësia intelektuale mbetet një nga të drejtat më të panjohura e të parespektuara në vendin tonë. Për të folur për këtë sfidë, kreu i Drejtorisë për të Drejtat e Autorit, Edmond Ahmeti, zhvilloi një leksion të hapur me studentët e Kolegjit Universitar “Luarasi”, duke nxjerrë në pah punën dhe strategjitë e zyrës që drejton.

Sipas tij, ligji i ri është një hap cilësor në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, ndërsa gjithë vëmendja është përqendruar te zbatimi, si një nga kushtet pa të cilin vendi ynë nuk aderon dot në Bahkimin Europian.

“Të drejtat e autorit kanë të bëjnë edhe me marrëveshjen e stabilizim-asociimit, dhe konkretisht me planin kombëtar të integrimit. Në dokumentet bazike, shteti shqiptar merr përsipër që të ndërmarrë të gjitha politikat e nevojshme për mbrojtjen e këtyre të drejtave, njësoj si vendet e BE-së. Edhe ligji i ri i hyrë në fuqi në tetor të 2016- s, ishte një nevojë urgjente për të kapur ritmin e të gjitha dokumenteve strategjike. Ne duhet të kalojmë në këto filtra, për shkak se produkti intelektual që shfrytëzohet në Shqipëri ka të bëjë me interesa të autorëve të vendeve të tjera”.

Për këtë, Shqipëqria po ndjek modelet më të mira të vendeve që sapo kanë aderuar, si Kroacia, Rumania e Sllovenia, të cilat e kanë kapërcyer këtë ngërç.

SITUATA

Krijuesit në vendin tonë nuk kanë përfituar asnjëherë trajtimin e merituar. Është vetë Drejtoria e Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit, ish- ZSHDA (Zyra shqiptare për të drejtat e autorit), e cila jep këtë alarm.

“Në të gjithë botën, autorët janë kategoria e njerëzve më me dinjitet dhe më e mirëpaguar. Ndërsa në Shqipëri autori dhe krijuesi, për fatin tonë të keq, është kategoria më vulnerabël dhe ai nuk është i zoti që me krijimtarinë e tij të bëjë një jetesë normale. Të jemi të vëmendshëm edhe në rastin kur krijojmë, por edhe kur përdorim veprat e dikujt tjetër”.

Për rektorin e “Luarasit”, Arben Malaj, mbrojtja e dijes ka gjithmonë një vlerë që shqiptarët herët a vonë do të duhet ta paguajnë. “Ka një kosto kur shkojmë drejt BE-së. Një nga to, për qytetarët e biznesin, janë kostot e papaguara për respektimin e standardeve europiane në të drejtat e pronësisë intelektuale, në të drejtat e autorit”. Drejtoria për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale apelon për një bashkëpunim më të gjerë të të gjitha institucioneve shtetërore, organizatave private e grupeve të interesit.

Të rinjtë e “Luarasit” shfaqën interes në njohjen me parimet bazë të pronësisë intelektuale, duke u aktivizuar në një seancë pyetje- përgjigjesh. Në fund të aktivitetit, Drejtoria e të Drejtave të Autorit ra dakord që me “Luarasin” të konkretizojë një plan konkret veprimi për ndërgjegjësimin e popullatës. Leksioni i hapur vjen një javë përpara ditës ndërkombëtare për të drejtat e autorit, e cila mbahet më 26 prill.